E enjte , 2 Korrik 2020

Albin Kurti vazhdon takimet në Turqi

Delegacioni ynë sot mbajti tubim me studentët shqiptarë në Universitetin e Stambollit, ku rektor i parë para një shekulli e gjysmë ishte Hoxhë Hasan Tahsini, profesor i fizikës, astronomisë dhe psikologjisë, e me prejardhje nga Konispoli.

Në fjalën time hyrëse theksova se për shtetndërtim demokratik dhe zhvillim ekonomik na duhet dija dhe patriotizmi i mërgatës. Elaborova qysh alternativa qeverisëse e VETËVENDOSJE!-s zotohet se rritjen ekonomike do ta shoqërojë me drejtësi sociale, se investimet kapitale do të jenë të tilla që gjenerojnë punësim, se fondi sovran do t’i bëjë fitimprurëse ndërmarrjet publike kurse banka zhvillimore do t’u jap hov rritjes së bizneseve private.

Më pas, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tregoi për të arriturat dhe sfidat në pushtetin lokal gjatë kësaj periudhe prej një viti e gjysmë prej kur është bërë ndryshimi i qeverisjes aty.

Interesimi i studentëve pjesëmarrës që vinin nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë në Ballkan ishte i madh dhe u shpreh përmes pyetjeve e komenteve të shumta. Dega e VETËVENDOSJE!-s në Shqipëri, shkëmbimi territorial, iniciativa franko-gjermane, programi i Lëvizjes për arsimin, marrëdhëniet ekonomike me Turqinë, gjendja në Maqedoninë e Veriut, krimet e Serbisë gjatë luftës, korrupsioni i politikanëve shqiptarë gjithandej kufijve që e ndajnë kombin tonë në shtete të ndryshme, mundësia për punë dhe përvojë praktike në institucionet dhe ndërmarrjet në Kosovë, ishin vetëm disa prej çështjeve që u ngritën dhe temave që u diskutuan.

Check Also

22 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare …